ads

Pronat shtetërore në zonat malore do shiten për 1 euro vetëm me plane biznesi

Ekonomi | 2 muaj më parë

Një nismë e re, e cila synon fuqizimin ekonomik të zonave malore dhe për të zhvilluar edhe më shumë turizmin, po ndërmerret nga Ministria e Ekonomisë.

Në draftin e publikuar për konsultim publik, të gjithë qytetarët apo bizneset, që nga procesi inventarizimit të pronave shtetërore kanë rezultuar si posedues faktikë të tyre, pra i kanë përdorur si të jenë pronarë, do u jepet e drejta ta fitojnë ligjërisht pronësinë e këtyre pasurive.

Këta posedues faktikë, që aplikojnë për të blerë prona me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë.

Ky projektligj vjen në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila “synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik”, thuhet në relacion.

Me miratimin e këtij projektligji do të bëhet i mundur konsolidimi i pronës, përmes plotësimit të dokumentacionit të pronësisë sipas ligjeve në fuqi.

Por jo të gjitha pronat shtetërore ku ka një posedues faktik do të ketë shitje të pronës me qëllim ngritjen e një biznesi pasi do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi . Kjo nismë vjen pas asaj të investimeve strategjike që u përqendrua kryesisht në hotele e resorte përgjatë vijës bregdetare, ku pronat shtetërore u vunë në dispozicion të privatit.

Gazetare: Amela Koçerri

/RTSH/