ads

Sulmet kiberenetike, kompanitë gjermane pësuan humbje prej 267 miliardë euro

Teknologji | 3 muaj më parë

Sulmet kibernetike kundër kompanive gjermane kanë shkaktuar humbje prej rreth 267 miliardë euro në 12 muajt e fundit.

Janë publikuar rezultatet e sondazhit të “sulmeve kibernetike” të zhvilluara me 1.000 kompani nga BITKOM, organizata ombrellë e sektorëve të informacionit, komunikimit dhe mediave të reja gjermane.

Presidenti i BITKOM-it, Ralf Wintergerst, duke shpallur rezultatet e anketës në kryeqytetin Berlin, tha se situata e kërcënimit kibernetik për ekonominë gjermane është përkeqësuar dhe se kompanitë duhet të rrisin masat e tyre mbrojtëse.

Wintergerst deklaroi se 81 për qind e kompanive gjermane janë prekur së fundmi nga vjedhja e të dhënave, spiunazhi apo sabotimi ndërsa kjo normë është 72 për qind në 2023.

Nënkryetari i Organizatës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Sinan Selen tha se pothuajse çdo kompani është e prekur nga sulmet kibernetike. “Konfliktet ndërkombëtare dhe rivalitetet sistematike formësojnë situatën e sigurisë në fushën kibernetike si dhe në atë gjeopolitike. Një progres drejt formimit të blloqeve reflektohet në qëndrimet politike dhe operacionale”.

Ai shtoi se shohin lidhje më të ngushtë midis sulmeve dixhitale dhe analoge. “Sulmuesit synojnë të hapin derën për aktivitetet klasike të spiunazhit përmes inxhinierisë sociale të personalizuar. Në të njëjtën kohë, kërcënimi i sabotimit dixhital dhe fizik vazhdon të rritet. Ne jemi të shqetësuar për rritjen e mprehtë të sulmeve analoge, përfshirë sabotimin kundër proceseve dhe objekteve operacionale”, tha Selen.

Sipas anketës së BITKOM-it, dëmi total nga sulmet kibernetike ndaj kompanive gjermane është rritur me 29 për qind në 12 muajt e fundit krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 266.6 miliardë euro.

Ndërsa 70 për qind e kompanive që iu nënshtruan një sulmi kibernetik e lidhën sulmin me krimin e organizuar, 45 për qind e kompanive deklaruan se të paktën një sulm ishte i bazuar në Kinë. Rusia renditet e dyta me 39 për qind në sulmet kibernetike ndaj kompanive gjermane.

Sondazhi zbuloi se pothuajse dy në çdo tre kompani i shohin asetet e tyre të kërcënuara nga sulmet kibernetike.

Derisa zinxhirët gjithnjë e më kompleks të furnizimit krijojnë një portë për hakerët e internetit, 37 për qind e kompanive gjermane kanë plan emergjence për t’iu përgjigjur incidenteve të sigurisë në zinxhirin e furnizimit.  

/ rtsh.al /