ads

Balluku inspekton punimet, Unaza e Madhe do të përfundojë brenda vitit

Aktualitet | 1 muaj më parë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin numër 6 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Zëvendëskryeministrja, Balluku e vendosi theksin tek ritmi i punimeve për të bërë të mundur finalizimin në kohë të kësaj vepre të rëndësishme, jo vetëm për kryeqytetin. Në fund të vitit, tha Balluku, e gjithë vepra, ashtu sikundër është premtuar, duhet të jetë gati dhe e aksesushme. “Ne kemi vendosur një afat për të gjithë Unazën, e cila duhet të përfundojë brenda këtij vitit. Ndaj është shumë e rëndësishme, të kemi një koordinim mes palëve duke qenë se këtu kemi disa lote që punojnë njëkohësisht”, u shpreh Balluku.

Loti i gjashtë i Unazës së Madhe, që përfshin segmentin nga rrethrrotullimi i Shkozës deri në afërsi të rrugës Myslym Keta, është drejt fundit.

Në krah të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli tha se në këtë segment kanë përfunduar 70 përqind e punimeve.

“Këtu kanë filluar shtresat rrugore, ka filluar stabilizanti. Me mbarimin e stabilizantit, nga mesi i Tetorit mund të fillojnë edhe shtresat asfaltike”.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh e kënaqur me ritmet e punimeve, ndërsa është optimiste se e gjithë unaza do të përfundojë brenda këtij viti.

“Kemi vënë një afat për të gjithë unazën, e cila duhet të përfundojë para mbarimit të këtij viti dhe është shumë e rëndësishme duke qenë se këtu kemi disa lote që punojnë njëkohësisht, të kemi një koordinim mes palëve”.

Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë një rrugë urbane e kategorisë A.

“Ecuria e punimeve është e kënaqshme, është sipas grafikut. Ka kaluar 70% e realizmit fizik. Kanë përfunduar të gjitha gërmimet, masat mbrojtëse me mure, ka përfunduar pothuajse nyja në rrugën “Myslym Keta”, e cila na lidh me Rrugën e Arbrit e do jetë dhe një portë hyrëse për Tiranën. Ka filluar stabilizanti dhe me përfundimin e tij, nga mesi i muajit tetor, mund të fillojnë dhe shtresat asfaltike”, tha Gjyli.

/rtsh.al/