Kampi i Gjadrit, gati për emigrantët. Konfirmimi edhe nga Autoritetet e Portit të Shëngjinit
Teksa strukturat pritëse të refugjateve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës janë bërë gati, kontingjenti i parë pritët të mbërrije javën e ardhshme. Pas Ministrit të Brendshëm të Italisë Matteo Piantedosi, konfirmimi ka ardhur dhe autoritetet e Portit të Shëngjinit të cilët janë njoftuar për diçka të tillë.
Sipas të dhënave fillimisht do të vijë një anije me 400 persona, që do të ankorohet në Portin e Shëngjinit dhe sipas procedurave, refugjatwt do të vendosen në qendrën pritëse dhe pas 48 orësh nën masa të rrepta sigurie do të transferohen me autobusë në kampin e Gjadrit, i cili prej ditës së premte është bërë gati, duke i pajisur me logjistiken dhe personelin e nevojshëm.
Ndërkohë edhe pse emigrantët e parë pritet të mbërrijnë për pak ditë, në kampin e Gjadrit do të vijohet me punime, pasi ka mbetur dhe 30 për qind e volumit pa përfunduar.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë debate në të dy anët e Adriatikut, por pavarësisht kundërshtimeve u ratifikua me shumicë votash nga parlamentet e të dy vendeve.
Marrëveshja parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Ato do të kontrollohen fillimisht në bordin e anijeve që i kanë shpëtuar, përpara se të dërgohen në Shqipëri. Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por kampi do të zgjerohet në muajt në vijim.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/