ads

Hapja e negociatave me BE, eksperti Gjipali: Me rëndësi, përmirësimi i administratës publike dhe zbatimi i reformës në drejtësi!

Politikë | 1 muaj më parë

 

Hapja e grupkapitullit të parë në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian shënon një hap vendimtar për integrimin e vendit.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA (European Movement in Albania) shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, ky zhvillim tregon një përparim të rëndësishëm. Ai kujtoi se Shqipëria bëhet vendi i tretë në Ballkan që hap negociatat pas Malit të Zi dhe Serbisë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjën.

“Nisja e bisedimeve kurorëzon një proces i cili ka pasur ndalesa të shumta në vitet e fundit dhe bën të mundur fokusimin e vëmendjes në reformat më të rëndësishme që vendi duhet të zbatojë”, theksoi ai.

Gjipali nënvizon se, hapja e këtij grupkapitulli përfshin reformat të cilat janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të negociatave dhe përcaktimin e ritmit të tyre.

Zoti Gjipali tha se reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe përmirësimi i administratës publike janë fusha kritike që kërkojnë vëmendje të veçantë.

Por ai nënvizoi se duke qenë se administrata publike është ajo që do të zbatojë reformat, përmirësimi i saj është thelbësor për arritjen e objektivave të anëtarësimit.

“Është kjo administrate e cila do te çoj përpara reformat  ne procesin e integrimit; thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar; prokurimi i fondeve publike i mbështetur në transparencë e konkurrencë të drejtë, etj”, tha zoti Gjipali për ATSH.

Gjipali tha se nëse Shqipëria tregon përparim të vazhdueshëm, ka gjasa që në një kohë relativisht të afërt të hapen edhe kapituj të tjerë, si ai për tregtinë.

Ky progres do të jetë rezultat i një angazhimi të përbashkët të administratës publike, politikës, dhe shoqërisë civile për të përmbushur detyrimet që vijnë me anëtarësimin në BE.

Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.

Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave. 

Sipas ATSH

/ rtsh.al /