ads

Asambleja e Unionit Ndërparlamentar, Spiropali: Zhvillimi social në botë është i lidhur me zhvillimin teknologjik

Politikë | 1 muaj më parë

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha se institucioni që ajo drejton është i angazhuar në përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të BE që do i shërbej integrimit, si dhe mbarëvajtjen e procese demokratike dhe rritjen e gjithëpërfshirjes.

Nga Gjeneva ku mori pjesë në sesionin e 149 të Asamblesë së Unionit Ndërparlamentar, Spiropali tha se Shqipëria e ka merituar mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE, që zhvillohet më 15 tetor.

“Kjo është një arritje e merituar e Shqipërisë për të qenë vendi i parë në mes vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Parlamenti është i angazhuar për të garantuar proceset demokratike dhe gjithëpërfshirjen e procesit”, tha Spiropali.

Në një botë ku zhvillimi teknologjik po ecën me ritme të shpejta, Spiropali tha se kjo ka rritur edhe rrezikun e sulmeve kibernetike dhe dezinformimin duke detyruar Kuvendet e të gjitha shteteve që të ndërmarrin hapa legjislativë për parandalimin dhe përballimin e tyre.

“Zhvillimi i çdo vendi po mbështetet gjithnjë e më shumë nga progresi shkencor e teknologjik, por ndodh një zhvillimi vrullshëm i dijeve dhe teknologjive dhe rritja e aksesit ndaj tyre. Asnjëherë më parë zhvillimi social në mbarë botën nuk është ndikuar nga teknologjia më shumë se sot dhe asnjëherë më parë nuk kemi qenë të sfiduar nga një botë e re që ka nevojë të disiplinohet përmes legjislacioneve të përshtatshëm”, u shpreh ajo.

Lidhur me sulmet kibernetike në vend, Spiropali tha se Shqipëria i ka përballuar ato së bashku me partnerët.

“Shqipëria 95 % të të gjitha shërbimeve i ka online duke pakësuar kohën ndërveprimit dhe korrupsioni gjatë dhënies së shërbimeve. Ofrimi i shërbimeve online ka ecur më shpejt se ecja dhe zhvillimi i popullsisë për marrjen këtyre shërbimeve. Kjo ka rritur dhe rrezikun kundër sulmeve kibernetike dhe vendi ynë i ka përballur me ndihmën e partnerëve këto sulme që shpërndajnë dezinformim dhe minojnë demokracinë”, tha Spiropali.  

/rtsh.al/