ads

Gjermania, 93.39 milionë euro Shqipërisë për zhvillimin e sektorëve prioritarë

Ekonomi | 1 muaj më parë

Në Berlin është nënshkruar të enjten Protokolli i Bashkëpunimit me Gjermaninë për vitet 2024-2026. Në fokus janë zhvillimi i sektorëve prioritarë të qeverisë shqiptare.

Në bazë të këtij protokolli parashikohet një mbështetje financiare për qeverinë shqiptare në vlerën prej 93.39 milionë euro (nga këto 33.39 milionë € grante, 60 milionë € kredi me interes të ulët), ose rreth 22% më shumë krahasuar me mbështetjen financiare të ofruar gjatë periudhës 2022-2024.

Mbështetja financiare do të jetë për energjinë dhe infrastrukturën, turizmin, arsimin profesional, bujqësinë, si dhe mbështetjen teknike në procesin e përafrimit të legjislacionit në kuadër të procesit të Integrimit Europian.

Ambasada gjermane në Tiranë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar planin e përbashkët në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si “një tjetër gur kilometrik në bashkëpunimin tonë 36-vjeçar gjermano-shqiptar”.

/ rtsh.al /