Kampi i emigrantëve në Gjadër, Rama për “La Repubblica”: Ajo që ndodh brenda strukturave s’na përket ne
Kur na ndajnë vetëm pak ditë në hapjen e kampit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “La Repubblica”, i cili thekson se ajo që ndodh brenda strukturave nuk i takon Shqipërisë dhe se menaxhimi i tyre është tërësisht përgjegjësi e Italisë.
I pyetur nëse kjo marrëveshje për emigrantët mund të dështojë për shkak të pengesave juridike, kryeministri Rama u shpreh se emigrantët nuk kanë të drejtë të dalin jashtë kampeve dhe nëse kjo ndodh, atëherë do ndërhyjnë agjencitë shqiptare të sigurisë.
Megjithatë, shtoi Rama, Shqipëria do të shqetësohet për atë që ndodh brenda kampit, “vetëm nëse e kërkon Italia”.
“Marrëveshja parashikon që emigrantët nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje: institucionet dhe agjencitë tona të sigurisë dhe drejtësisë kanë punuar ngushtë së bashku për vite me radhë për të luftuar krimin e organizuar. Do të shqetësohem nëse dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar, dhe vetëm nëse Italia na kërkon të ndajmë shqetësimin. Deri atëherë, nuk jam i shqetësuar. Në të vërtetë, jam shumë i qetë, sepse marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë, gjatë këtyre dekadave, më ka mësuar se kur Shqipëria duhet të shqetësohet, nuk është kurrë vetëm. Falë Italisë, para së gjithash. Dhe pastaj, për ta thënë troç, kur në krye të qeverisë në Itali është dikush është dikush që insiston të përballet gjithmonë, mund të ecësh përpara me besim edhe kundër çdo fatkeqësie të papritur”, tha Rama.
Lidhur me ardhjen e emigrantëve të parë në Gjadër, Rama u shpreh se kjo është përgjegjësi e qeverisë italiane dhe se nuk ka asnjë lidhje me autoritetet shqiptare.
“Ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare. Nuk na përket neve. Jo, nuk e di kur mbërrijnë emigrantët e parë, sepse ata do të shoqërohen nga autoritetet italiane në një vend që është nën juridiksionin italian. Si gjatë udhëtimit për në kamp ashtu edhe gjatë qëndrimit, nuk ka asnjë ndërthurje me autoritetet tona”, tha Rama.
Qendra e emigrantëve në Gjadër është gati për të pritur emigrantët e parë. Në total, Italia do të sigurojë 500 veta personel, ku 45 do të jenë oficerë policie dhe ushtarakë, do të ketë punonjës shëndetësorë dhe staf nga Ministria e Drejtësisë, me një kosto të vlerësuar prej 252 milionë euro që do të mbulohet nga vendi fqinj.
/rtsh.al/