Lejoi kompaninë e vëllait që të ndërtojë, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetarin e Pogradecit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri për shpërdorim detyre. Së bashku me ish kryebashkiakun Kapri, për gjykim kanë shkuar edhe juristi i Bashkisë Pogradec, Besjan Meço dhe Specialistja pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec, Besmira Niko.
Sipas SPAK, Eduart Kapri në kohën kur ka drejtuar Bashkinë e Pogradecit i ka dhënë lejen kompanisë së vëllait të tij për të ndërtuar një objekt 14 katësh, në kundërshtim me afatin e dhënies së lejeve por dhe në kushtet e konfliktit të interesit.
“Me veprimet dhe mosveprimet e tij, Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri, në qytetin e Pogradecit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në 2009 kompania “Gedi sh.p.k.” kishte si administrator vetë Eduart Kaprin ku dhe kishte marrë leje për ndërtimin e Objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec.
Ndërtimi nuk u bë brenda afateve të punimeve dhe se Bashkia e Pogradecit refuzoi zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi. Sipas SPAK, kur Eduart Kapri zgjidhet kryetar bashkie vendos që kompania t’i kalojë nën administrim vëllait të tij dhe t’i jap sërish lejen e ndërtimit.
“Bashkia e Pogradecit refuzoi zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi për shkak se afati për përfundimin e punimeve ishte data 09.12.2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar me shkrim në datë 05.11.2014, jashtë afateve ligjore dhe kur çështja ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Kryetari i Bashkisë Pogradec, tashmë shtetasi Eduart Kapri, me vendimin nr. 99, datë 31.03.2016, me objekt “Leje për rishikim të kushteve të lejes”, lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e një objekti 14 katësh, në rrugën “Reshit Çollaku”, Pogradec, nga shoqëria ndërtuese “Gedi” sh.p.k, me administrator vëllain e tij, Gëzim Kapri. Ky ndërtim u lejua në kundërshtim me ligjin duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Për më tepër dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri”, thotë SPAK.
/rtsh.al/