ads

Malaj takim me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit

Ekonomi | 2 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi një takim me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi dhe diskutimi i draft Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, për të cilën Ministria e Financave ka hapur procesin e konsultimit publik.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e konsultimit publik të draft strategjisë me të gjitha grupet e interesit, përfshirë atë me dhomat dhe shoqata e tregtisë, në mënyrë që të finalizohet një dokument sa më gjithëpërfshirës dhe të garantohet zbatimi me efikasitet.

Ministri informoi pjesëmarrësit se draft strategjia përbëhet nga tre shtylla kryesore: rishikimi i politikave tatimore; miradministrimi tatimor; dhe miradministrimi doganor.

Komponentët kryesorë të shtyllës së parë lidhen me rishikimin e përjashtimeve apo rishikimin e normave të reduktuara të tatimeve direkte dhe indirekte, si dhe rishikimin e taksës mbi pasuritë.

“Si rezultat i implementimit të masave nën këtë shtyllë, si Ministri e Financave parashikojmë të mbledhim rreth 9 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Malaj.

Sa i përket shtyllës së miradministrimit tatimor, Ministri Malaj e konsideroi atë si një ndër më të rëndësishmet, pasi ka në fokus të saj reduktimin e punës së padeklaruar apo reduktimin e nëndeklarimit të pagave reale; krijimin e instrumenteve për profilizimin dhe investigimin e rasteve të shmangies tatimore nga ana e tatimpaguesve, qofshin këto subjekte apo individë; dixhitalizimin e plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, me qëllim për të rritur deklarimet dhe për të ulur informalitetin.

“Kjo është shtylla më e rëndësishme për vetë faktin që nëpërmjet implementimit të masave të kësaj shtylle ne parashikojmë që të rrisim të ardhurat tatimore me rreth 51 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2027”, tha Malaj.

Shtylla e tretë e draft strategjisë është ajo e miradministrimin doganor, me fokus në: zhvillimin e sistemeve të IT-së, në mënyrë që të modernizohen ose të përditësohen profilizimet e riskut dhe zhvillimi i të dhënave, duke siguruar një rritje të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave, qoftë kjo TVSH-ja, akciza apo tarifa doganore; rritjen e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar; si dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës.

Takimi vijoi me një prezantim të detajuar të draft strategjisë nga zëvendësministrja e Financave, znj. Vasilika Vjero dhe me diskutimet e pjesëmarrësve. Diskutimet do të ndiqen nga dërgimi i komenteve specifike mbi dokumentin, të cilat do të shqyrtohen më pas në nivel teknik para se dokumenti final të përcillet për miratim në Këshillin e Ministrave.

Draft Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027 është hartuar nga Ministria e Financave në konsultim dhe dakordësim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian. Miratimi i saj nga qeveria shqiptare është një parakusht që duhet të përmbushet në mënyrë që Shqipëria të përfitojë në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/