ads

Mbanin me forcë të miturin nga Afganistani, arrestohet 18-vjeçari, në kërkim vëllai i tij

Aktualitet | 1 muaj më parë

Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij. Kjo pasi dy vëllezërit, konretisht Alehandro dhe Kristjan Pashuku, mbanin me forcë një të mitur nga Afganistani (i dyshuar i trafikuar) për ta shfrytëzuar për punë.

Sakaq, blutë e Shkodrës kanë proceduar në gjendje të lirë vëllanë tjetër të familjes Pashuku dhe babanë e tyre, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja e minorenit, në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu: -u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; -u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç (vëllai i 18-vjeçarit të arrestuar) banues në fshatin Bërdicë, për veprën penale “Trafikim i të miturve”; -u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak”, thuhet në njoftim.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/