Agjencia hapësinore amerikane NASA po dërgon sondë-robot drejt planetit Mars, prej nga shkencëtarët shpresojnë që brenda një dekade të sigurojnë mostra shkëmbinjësh, për t’i analizuar në tokë.
Sonda e quajtur “Perseverance”, është misioni më ambicioz i NASA-s, me një vlerë prej 3 miliardë dollarësh. Sonda pritet të ulet në planetin e kuq pas dy ditësh. Ajo filloi rrugëtimin drejt planetit të kuq në korrikun e vitit të kaluar nga Kepi Canaveral i Floridës, ndërsa pritet të mbërrijë në Mars, ditën e enjte më 18 shkurt.
Sonda që ka madhësinë e një makine me gjashtë rrota do të kërkojë shkëmbinj marsianë që përmbajnë të dhëna biologjike, nëse ekzistojnë. “Vërtetimi i jetës në një planet tjetër është vështirë të bëhet po sjellë monstra në tokë. Prandaj, një prej funksioneve kryesore të ‘Perseverance’ është mbledhja e mostrave dhe sjellja e tyre në tokë në të ardhmen dhe pastaj analizimi i tyre në laboratore, të cilat edhe duhet të na japin një përgjigje përfundimtare në këtë pyetje”, kishte deklaruar Kenneth Farley, shkencëtar i misionit, gjatë një interviste në korrik të vitit 2020
Shkencëtarët duan të dinë se si ishte Marsi para miliarda vitesh, në se kishte lumenj, liqene dhe oqeane, që mundësonin ekzistencën e organizmave të thjeshtë dhe të vegjël, shumë kohë para se planeti të shndërrohej në një shkretëtirë. “Këto pyetje lidhen me atë se a ka ekzistuar jeta atje, cila ishte klima e planetit, mënyra se si Marsi është shumë i ngjashëm, por dhe shumë i ndryshëm nga toka”, kishte deklaruar shkencëtari Farley. “Perseverance” do të grumbullojë mostra të shkëmbinjëve, të cilat do të futen në gypa të shpërndarë në sipërfaqen e Marsit.
Vite më pas, një sondë e dytë e ndërtuar nga Agjencia Hapësinore Evropiane do të dërgohet në Mars për mbledhjen e këtyre mostrave të cilat më pas do të vijnë drejt Tokës. Nëse gjithçka shkon sipas planit të inxhinierëve, sonda e dytë mund të fillojë rrugëtimin drejt planetit të kuq më 2026, të mbërrijë atje më 2028 dhe të ndihmojë në dërgimin e mostrave marsiane drejt Tokës më 2031. Përveç mbledhjes së mostrave, Perseveranve është i pajisur me disa instrumente shkencore që mundësojnë kërkimin e shenjave të jetës në Mars.
Anija hapësinore udhëtoi më shumë se 483 milionë kilometra për të arritur në Mars. Sonda Perseverance është paraparë që të ulet në shtratin e një liqeni antik që njihet si Krateri Jezero. Terreni është plot me gurë, shkëmbinj, kodra rëre dhe gropa, të cilat rrezikojnë misionin e sondës. Por sipas shkencëtarëve është rrezik që ia vlen. Aty ku ka patur ujë mund të ketë patur jetë, edhe pse ndoshta të formës rudimentare, në formë mikrobesh. Deri tani planeti Mars ka varrosur misione të shumta. Rreth 50 për qind e misioneve kanë dështuar.
SHBA është vendi i vetëm që ka dërguar me sukses sonda në Mars, gjë që e ka bërë tetë herë, duke filluar me misionin “Binjakët Viking” më 1976. Dy sonda të NASA-s, InSight dhe Curiosity, vazhdojnë të veprojnë në Mars.