ads

Rama nga Luksemburgu: BE i vetmi vend ku duam të jemi. Synojmë që Shqipëria të jetë pjesë e saj në 2030

Politikë | 4 javë më parë

Kryeministri Edi Rama thekson ambicien e qeverisë së tij që ta bëjë Shqipërinë pjesë të BE brenda vitit 2030. Nga Luksemburgu, Rama bëri të ditur se qeveria po punon me ritme të shpejta dhe ide të qarta që ky synim i vendosur të arrihet sa më shpejtë dhe në 2030 Shqipëria të ulet si një vend i barabartë në tryezën e shteteve anëtare të BE.

Lidhur me nxitjen e BE për procesin e zgjerimit, Rama tha se një meritë i shkon edhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili “zgjoi nga gjumi” edhe më skeptikun lidhur me integrimin e rajonit. Për kryeministrin Rama nuk ka një BE të fortë pa Ballkanin Perëndimor.

“Është mënyra më e mirë për të nisur ditën pavarësisht motit gri të Luksemburgut, ndihemi shumë entuziastë dhe të inkurajuar që më së fundi nisim me pjesën më të vështirë të punës që nënkupton çeljen e grupkapitujve të themeloreve të 5 kapitujve më shumë plus 3 kriteret që na bëjnë të ecim më parapara. Do të përmbyllim brenda afatit tonë ambicien e të gjithë procesit të negociatave dhe do e bëjmë Shqipërinë të ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve të BE.

Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj BE-së që prej ditës së parë, që kur I ikëm diktaturës duke qene “Koreja e Veriut” e Evropë dhe pavarësisht si është situata këtu apo në nivele të ndryshme të vëmendjes apo skepticizmit të zgjerimit ne nuk kemi hequr kurrë dorë pasi për ne BE dhe është I vetmi vend që duam të jemi dhe t’u lemë brezave të ardhshme sigurinë që I lëmë në të vetmet hapësirë kur sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat garantohen. Ky moment është I veçantë edhe falë Putinit, i cili për shkak të luftë mizore zgjoi nga gjumi dhe më skeptikun dhe I bëri të shohin realitetin e se Ballkani është I nevojshëm për një BE më të fortë po aq sa BE është I nevojshëm për Ballkanin. Të dyja palët janë në një gjatësi vale dhe do të bëjmë më të mirën dhe do të vrapojmë shpjet që kjo dritare e jashtëzakonshme mundësie te mos mbyllet për ne në BE”, tha Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për “detyrat e shtëpisë” të lëna nga BE, ku tha se vendi po punon me vullnet të fortë që t’i përmbushë ato të gjitha për të garantuar një shtet ligjor dhe një demokraci funksionale për qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë, shtoi Rama, Shqipëria do jetë në BE brenda 2030.

“Nuk ka asgjë të veçantë dhe çdo gjë është shumë e qartë për t’u bërë shtet anëtar, duhet të ngresh jo vetëm shpirtrat por të gjitha forcat që të punojmë së bashku për të garantuar një vend që funksionin mirë, u shërben qytetarëve dhe sanksionon në jetën e përditshme atë që shkruhet në Kushtetutë dhe të gjitha angazhimet. Janë detyra shtëpie, një mal për t’u ngjitur, dhe tani ne jemi në ngritje e super me vullnet të fortë dhe dije të qartë dhe nuk ka dyshim që do arrijmë atë që duhet arritur që do të thotë Shqipëria brenda BE në 2030”, tha Rama.

Sot në Luksemburg mbahet dhe Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku hap një “kapitull” të ri për vendin me diskutimin dhe përafrimin e legjislacionit për grupkapitujt themelorë dhe më të rëndësishëm për vendin.

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë. Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes  Konferencës  Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.

/rtsh.al/