ads

Shqipëria pjesë e SEPA-s nga viti 2025

Ekonomi | 1 muaj më parë

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do t’i bashkohen Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), me Podgoricën që do ta fillojë e para, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman.

“Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në SEPA në tetë muajt e fundit, me tre prej tyre që pothuajse e kanë përfunduar detyrën”, tha Koopman në një sesion të komitetit të BE-së për Punët e Jashtme (AFET).

Koopman vuri në dukje se Serbia është gjithashtu shumë e interesuar për t’iu bashkuar SEPA-s, si dhe Kosova, me Bosnje-Hercegovinën që pritet të pasohet jo shumë më vonë.

Anëtarësimi në SEPA është një nga prioritetet e planit të ri të rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në nëntor.

Anëtarësimi në SEPA shihet si një mënyrë për të përshpejtuar integrimin ekonomik të rajonit në tregun e vetëm evropian përpara se të bëhet pjesë e Bashkimit, dhe duke ulur ndjeshëm koston e transaksioneve si brenda rajonit ashtu edhe me BE-në.

Në mars, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të ulin tarifat e transaksioneve financiare në të gjithë rajonin duke përafruar rregulloret e tyre me ato të vendeve SEPA.

Koopman u citua gjithashtu të ketë thënë se “krerët e gjashtë shteteve ballkanike takohen çdo tre muaj për të diskutuar planin e rritjes së BE-së, ndërsa axhendat e reformave të pesë prej tyre janë në proces miratimi nga Komisioni”.

“Unë jam optimist se pagesat e para të parashikuara nga Plani i Rritjes do të bëhen brenda një viti nga miratimi i një propozimi të tillë të bërë nga KE”, vuri në dukje Koopman, duke shtuar se ka ende kohë që Bosnje-Hercegovina të paraqesë axhendën e saj të reformave.

/ rtsh.al /