Tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë ekonominë globale, a mund të rritet çmimi i naftës në 200 dollarë për fuçi?
Çmimet e naftës janë rritur ndërsa shtohen spekulimet se Izraeli mund të godasë objekte të naftës apo ato bërthamore të Iranit. A mund të rriten çmimet në 200 dollarë për fuçi apo ndikimi do të jetë i kufizuar?
Kur Irani lëshoi një breshëri prej rreth 180 raketash balistike në Izrael një javë më parë – duke shkaktuar pak dëme ose viktima – kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se Teherani kishte bërë një “gabim të madh” dhe se do të “paguante për të”. Sulmi i parë i madh i Iranit ndaj Izraelit në prill – me 300 dronë dhe raketa – shkaktoi një kundërsulm të kufizuar. Por zyrtarët izraelitë këtë herë janë zotuar për një “hakmarrje të rëndësishme”, duke nxitur spekulimet se Izraeli mund të synojë infrastrukturën e naftës, ose atë ushtarake apo bërthamore të Iranit.
Netanyahu është nën presion të fortë nga disa zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë ish-kryeministrin Yair Lapid, për të goditur Iranin në “pikën më të dhimbshme”, ndërsa presidenti i SHBA, Joe Biden ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë, se po të ishte në vendin e Izraelit do të mendonte për alternativa ndaj sulmit në vend të fushave të naftës.
Çmimet e naftës rriten për shkak të rrezikut gjeopolitik
Që nga sulmet më të fundit të Iranit, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm. Nafta e papërpunuar Brent u rrit 17% në një javë në 81.16 dollarë (74 euro), megjithëse çmimet janë ulur përsëri, pasi milicia e Hezbollahut e mbështetur nga Irani sinjalizoi një gatishmëri për një armëpushim në konfliktin e saj me Izraelin përtej kufirit libanez.
Nëse Izraeli do të dëmtonte asetet më kritike të naftës të Iranit, ai mund t’i heqë afro 2 milionë fuçi në ditë tregut global të naftës, duke bërë që disa tregtarë të spekulojnë për një kthim në çmimet treshifrore të naftës. Çmimi i naftës për herë të fundit kaloi kufirin e 100 dollarëve, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Disa i tremben rritjes deri në 200 dollarë
“Nëse goditen rafineritë e naftës në Iran, lehtësisht çmimet e naftës, mund të shkojnë deri në 200 dollarë plus”, i tha CNBC javën e kaluar Bjarne Schieldrop, analist në bankën suedeze SEB.
Irani njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, por eksportet e tij janë subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare, pas mosmarrëveshjeve të zgjatura me Perëndimin mbi ambiciet bërthamore të Teheranit. Përkundër kësaj, eksportet iraniane të naftës arritën në maj 1.7 milionë fuçi në nivelin më të lartë 5-vjeçar, sipas kompanisë analitike të energjisë Vortexa. Rreth 90% e naftës iraniane dërgohet në Kinë, pjesa më e madhe e saj në mënyrë të paligjshme, përmes të ashtuquajturës flotë fantazmë të Teheranit prej afro 400 cisternash që maskojnë lëvizjet e tyre për të shkelur sanksionet.
“Ekonomia iraniane është jashtëzakonisht e varur nga të ardhurat që gjeneron nga eksportet e saj të naftës”, tha për DW Carole Nahkle, drejtuese e qendrës së konsulencës në Londër, Crystal Energy. “Çdo ndërprerje e këtyre të ardhurave do të ketë ndikime të rënda në ekonomi”.
Cilat rafineri nafte mund të godasë Izraeli?
Nëse Izraeli do të synonte infrastrukturën e naftës të Iranit, një sulm në ishullin Kharg ka të ngjarë të ishte më me pasoja. Ishulli është baza e terminalit kryesor të eksportit të naftës të Iranit dhe luan një rol kritik në lehtësimin e tregtisë zyrtare, por edhe klandestine të naftës në vend.
I vendosur në Gji, rreth 40 kilometra larg bregut iranian, ishulli Kharg ka objekte të mëdha magazinimi, duke i mundësuar Iranit të livrojë nga aty nëntë të dhjetat e eksporteve të naftës të Republikës Islamike. Shumica e cisternave të Iranit ngarkohen nga objekti i Kharg, kështu që çdo ndërprerje mund të ndikojë rëndë aftësinë e vendit për të përmbushur detyrimet e eksportit.
Objektiva të tjerë të mundshëm përfshijnë rafinerinë e naftës në Bandar Abas, e vendosur në qytetin port jugor të Gjirit me të njëjtin emër, e cila luan një rol kyç në eksportet e naftës së papërpunuar, por gjithashtu aty ka edhe objekte ushtarake. Rafineria Abidan, në jugperëndim, me një kapacitet prej 400,000 fuçi në ditë, është jetike për konsumin e brendshëm të Iranit.
Një sulm izraelit këtu mund të mos nxisë çmimet e naftës aq të larta sa terminali i eksportit në Kharg, por do të shkaktonte më shumë mjerim për iranianët e zakonshëm, që tashmë po luftojnë me inflacion të lartë, një monedhë të dobët dhe papunësi të lartë, si rezultat i mjaft viteve të sanksioneve perëndimore.
Fusha e gazit në Parsin Jugor, e vendosur në Gji, është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët me Katarin. Parsi i Jugut përmban rreth 8% të rezervave botërore të gazit natyror dhe është një burim i madh të ardhurash për Iranin. Terminalet e naftës në Bushehr, ndërkohë, ndodhen pranë një centrali bërthamor me të njëjtin emër, kështu që Izraeli mund të arrijë një goditje të dyfishtë nëse vendos të shënjestrojë atë zonë.
Kapaciteti i tepërt i mban çmimet e naftës në kontroll, tani për tani
Rritja e çmimeve të naftës është zbutur disi nga “furnizimet e shumta” në tregjet globale, shpjegon ekspertja Nahkle, duke vënë në dukje se si OPEC + po ul me pothuajse 5 milionë fuçi në ditë kapacitet rezervë. Në të njëjtën kohë, kërkesa nuk po rritet me shpejtësi, tha ajo, pasi oreksi i Kinës për naftë është i dëmtuar si shkak i rimëkëmbjes së ngadaltë ekonomike nga pandemia COVID-19.
Por këto burime mund të shterojnë shpejt, nëse furnizimet pakësohen në rast të një konflikti më të gjerë rajonal. Teherani ka kërcënuar vazhdimisht se do të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kritike ku kalon rreth 20% e furnizimit të naftës në botë. Kjo do të shtonte vështirësitë me të cilat përballet tregtia detare pasi Huthi-t e mbështetur nga Irani sulmuan anijet në Detin e Kuq gjatë 11 muajve të fundit. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi këtë javë kërcënoi “një përgjigje edhe më të fortë” ndaj çdo sulmi nga Izraeli në infrastrukturën e tij.
Ka disa zëra madje që i krahasojnë tensionet e përkeqësuara aktualisht në Lindjen e Mesme me krizën e naftës të viteve 1970, të shkaktuar nga një luftë midis Izraelit dhe disa shteteve arabe që panë çmimet e naftës katërfishuar, gjë që Nahkle mendon se është e paqëndrueshme.
“Nafta nuk është më aq e rëndësishme në konsumin e energjisë siç ishte në vitet ’70. Në atë kohë, ajo plotësonte 50% të nevojave tona për energji në mbarë botën,” thekson Nahkle për DW. “Lindja e Mesme nuk është më prodhuesi i vetëm,” shtoi ajo, duke vënë në dukje se si rritja e prodhimit nga Shtetet e Bashkuara, Brazili, Kanadaja dhe Guajana ka ndihmuar në diversifikimin e furnizimeve.
Izraeli me gjasa synon regjimin iranian dhe ushtrinë
Anver Cohen, profesor i studimeve të terrorizmit dhe mospërhapjes së tij në Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare në Monterey, Shtetet e Bashkuara, nuk beson se një sulm izraelit ndaj Iranit është i afërt. Sulmet në objektet e naftës të Iranit nuk mund të “përjashtohen”, sipas Cohen, por sipas ekspertit, Izraeli ka më shumë gjasa të shënjestrojë regjimin dhe bazat ushtarake, duke përfshirë ato që i përkasin Gardës Revolucionare elitare të vendit. “Nëse Izraeli do të godiste interesa të mëdha ekonomike si objektet e naftës dhe rafineritë e naftës, mund të ndihej dëmi në të gjithë ekonominë globale”, tha ai për DW, duke shtuar se shpresonte që Netanyahu “do të ishte mjaft i zgjuar që të mos e ndërmarrë atë veprim”.
Çdo rritje afatgjatë në çmimet e energjisë si pasojë, do të zeronte përpjekjet e bankave qendrore për të zbutur inflacionin e lartë prej dekadash, veçanërisht në Perëndim. Kjo mund të çojë në kthimin e normave më të larta të interesit, të cilat do të dobësonin ekonominë globale, duke dëmtuar konsumin dhe investimet e biznesit.
Me zgjedhjet presidenciale në SHBA më pak se një muaj larg dhe Uashingtonin që e rrit presionin ndaj Netanyahut, eksperti Cohen mendon se kundërpërgjigjja e Izraelit mund të jetë më simbolike, aq sa të mos e detyrojë Teheranin të hyjë në një përshkallëzim të mëtejshëm që mund të tërheqë aty fqinjët arabë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Të dyja vendet nuk duan të krijojnë një zinxhir të plotë dhune që do të çonte në një luftë rrënuese. Do të ishte e keqe për të dy vendet, e mund të detyrojë SHBA-në të ndërhyjë dhe do të sillte edhe më shumë kaos në Lindjen e Mesme”, tha ai për DW. “Në të njëjtën kohë nuk ka asnjë komunikim mes dy palëve, nuk ka qartësi se cila mund të jetë vija e kuqe dhe ka shumë pak bashkëbisedues që mund të ndikojnë tek të dyja palët. Pra, marzhi i gabimit është shumë i lartë”, sipas ekspertit.
/rtsh.al/