Veliaj nderon me titullin “Mirënjohja e Qytetit” kantautorin dhe artistin, Ardit Gjebrea
Me një karrierë të gjatë artistike prej disa dekadash kantautori i njohur Ardit Gjebrea është vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj. Gjatë ceremonisë së organizuar në dhënien e titullit artistit u fol jo vetëm për kontributin e dhënë në art e kulturë por edhe për promovimin bërë artistëve të rinj.
“Në Tiranë vërtet jetojnë sot 1 milion njerëz, por qyteti nuk i harron traditat, nuk e harron mirësjelljen, as kulturën e të qenit mirënjohës për dikë që kontribuon për Tiranën. Ndaj, jam shumë i nderuar që vlerësojmë sot me titullin ‘Mirënjohja e qytetit të Tiranës’, një nga ikonat më të mëdha të qytetit tonë, të vendit dhe të kombit tonë, edhe përtej kufijve.Ai e cilësoi Ardit Gjebrenë si personaliteti, i cili me muzikën e tij ka ndikuar gjithë shoqërinë shqiptare. “Ka njerëz të cilët, jo vetëm lënë shenjë, por edhe shenjojnë kohën kur jetojmë. Kënga ‘Jon’ e Arditit shenjoi një kohë, ishte një gur kilometrik i tranzicionit, i një hapësire epokale në qytetin dhe në vendin tone. Tani që je në kulmin e energjive dhe të punëve të bukura doja të merrnim pak kohë dhe të të themi se të jemi shumë mirënjohës. Në emër të qytetarëve të Tiranës do të doja shumë të të dhuroja diçka simbolike, një piano të stilizuar, nga një qytet që është mirënjohës, që di të falenderoj njerëzit e tij të çmuar dhe të një qyteti që shikon te shembulli yt, modelin që mund të frymëzojë të tjerë, se mund t’ia dalin pa u bërë të këqij, pa sharë e pa fyer, se mund t’ia dalin me djersë, me shumë mund, përpjekje dhe talent”, tha Veliaj.
Ndërsa merr dhuratë një piano si simbol i kontributit në muzikë, mes emocionesh, artisti Ardit Gjebrea u shpreh se çdo cep i qytetit i ka dhënë gjithnjë dashuri dhe mbështetje.
“Teksa pashë këtë piano m’u kujtua vetja kur studioja – nuk kisha piano në shtëpi, ishte në Pallatin e Pionerëve – dhe këpucët më fusnin teksa vija çdo mëngjes, në 5 të mëngjesit, për të studiuar dhe për të realizuar atë pasion që unë kisha, muzikën. Unë jam lindur dhe rritur në këtë qytet, për herë të parë në skenë kam dalë në moshën 5 vjeç, dhe që atëherë nuk u shkëputa më. Çdo cep i këtij qyteti më ka dhënë dashuri. Jam i bekuar sepse kudo ku eci, kudo ku kaloj, ndiej dashurinë e njerëzve dhe është shpërblimi më i madh i punës që kam bërë. Kam kënduar kudo, kam kënduar në opera, në Pallatin e Koncerteve, në stadium, dhe kudo kam marrë duartrokitje. Të jam shumë mirënjohës sepse kjo mirënjohje sot, mendoj se është një sintezë e të gjitha duartrokitjeve që kam marrë ndër vite nga ky qytet, nga dashuria që më ka falur ky qytet dhe nga puna e pasioni, shpeshherë edhe duke lënë mënjanë për fat të keq edhe familjen time, për të dhënë dashuri, por mbi të gjitha për të marrë këtë dashuri”, tha Gjebrea.